Murati: Paga minimale e kërkuar prej 500 euro nuk është realiste, nuk ka kuptim heqja e taksave

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka deklaruar se paga minimale e kërkuar prej 500 euro nuk është realiste, ndërsa shtoi për kërkesën e opozitës rreth heqjes së akcizës për derivatet nuk është e drejtë.

Ai tha se nëse hiqen të gjitha taksat, atëherë shteti bankroton.

“Kur është dhënë propozimi i opozitës që për shkak të rritjes së çmimeve shteti po i marrka njo 13 cent për litër më tepër, prej se e kemi marrë vendimin për çmim tavan, çmimi i naftës është 20 cent më lirë, i benzinës 30. Me i heq të gjitha taksat, pastaj përfundojmë si në Shri Lankë, por ka edhe shtete që për shkak t’i fitojnë zgjedhjet premtojnë t’i heqin taksat shteti bankroton. Shteti mbahet me tatim. Ne bëhemi bashkë, paguajmë tatim dhe sigurojmë shërbime bazike”.

Megjithatë, Murati tha se do të ketë ligj të pagave që i adreson padrejtësitë dhe siguron një kompensim të dinjitetshëm për profesionistët që e kryejnë punën sepse sipas tij, duhet të ndërlidhet edhe me performancën e tyre.

“Synimi i qeverisë është ta ndryshojmë trendin (ikja e të rinjve), efekti i tyre vërehet më vonë. Ne po bëjmë çdo gjë si qeveri, duke i pasur parasysh edhe krizat, tri krizat globale. Kemi menaxhuar tri kriza, kemi mbështetur qytetarët në numër të jashtëzakonshëm që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Shkop magjik nuk ka, por ne si qeveri, po punojmë që t’i krijojmë të gjitha kushtet që ky vend të shndërrohet një vend të dinjitetshëm e të jetueshëm”, u shpreh ai në ATV.