Murati për pushtetarët: Edhe nëse fitojnë ndonjë betejë, luftën do ta humbin për turpin tyre

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka thënë se politikanët populistë kanë përçmim për ligjin, rendin kushtetues dhe demokracinë në vetvete sepse e konsiderojnë vetën përmbi kufizimet e ndarjes së pushteteve.

Ai ka thënë se politikanët e qeverisë po e konsiderojnë veten autoritetin suprem të interpretimit të lirisë së shprehjes dhe mënyrës se si duhet të bëhet gazetaria.

Më tutje, ai është shprehur se veprimi për marrjen e licencës së Klan Kosovës është veprim i tillë. Ai ka thënë se kështu është hapur një front i ri, një konflikt i ri shoqëror.

“Për një gjë jam i sigurt, edhe nëse fitohet ndonjë nga këto beteja nga kjo politikë populiste me shkarje autoritariste, luftën do ta humbin për turpin tyre.”, ka thënë Murati.

Ky është postimi i tij:

Politikanët populistë në thelb kanë një përçmim të thellë për ligjin, rendin kushtetues dhe demokracinë në vetvete, sepse zakonisht veten e konsiderojnë përmbi kufizimet që i vendos ligji dhe përmbi kufizimet që i vendos ndarja e pushteteve. Kur vijnë në pushtet, tani më nën petkun qeveritar, të tillët vazhdojnë të kenë të njëjtin përçmim, por në diskursin publik fillojnë që veprimet e veta t’i arsyetojnë duke u bazuar në ligje e kushtetutë. Politikanët e tillë nuk mund të mbijetojnë pa situata konfliktuoze. Nga konflikti në konflikt, të cilat i krijojnë dhe i trajtojnë vetëm në funksion të rritjes së votës me politika populiste e deri në theqafje. Dhe zakonisht politikanët dhe qeveritë populiste, e të cilat kanë tendenca autoritariste, në thelb fillojnë që hapërimin e tyre në shkeljet e të drejtave të njeriut t’i arsyetojnë mu në emër të “ligjeve” e “kushtetutës”. Ky hapërim me kohën shndërrohet në marrshim, që merr konotacion të sundimit autoritar, në stilin e Luigjit të XIV se “unë jam shteti (‘ligji’)”. Këta politikanë e këta qeveritar, e konsiderojnë veten edhe autoritetin suprem të interpretimit të “lirisë së shprehjes” dhe mënyrës sesi duhet të bëhet gazetaria e si duhet të sillen gazetarët. Veprimi i qeverisë me marrjen e licencës për Klan Kosovën është një veprim i tillë. Në vend se në rast të shkeljeve administrative të krijohej hapësira për përmirësimet e duhura, qeveria shkon me masat ekstreme, të heqjes së licencës për Klan Kosovën, duke shkaktuar reagime të shumta vendore e ndërkombëtare, dhe duke hapur një front të ri, një konflikt të ri shoqëror. Për një gjë jam i sigurt, edhe nëse fitohet ndonjë nga këto beteja nga kjo politikë populiste me shkarje autoritariste, luftën do ta humbin për turpin tyre.
#meKlanKosovën. /Fokusi.info/