Murati: Rruga Deçan-Plavë është jetike për shqiptarët që jetojnë në Plavë, Guci dhe trevat e tjera në Mal të Zi

Kryetari i Lëvizjes pë Bashkim, Valon Murati përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka deklaruar se rruga Deçan-Plavë është jetike për shqiptarët që jetojnë në Plavë, Guci dhe trevat e tjera në Mal të Zi. Sipas Muratit, problemin e dalë me Manastirin e Deçanit, qeveria duhet ta zgjidh urgjentisht.

“Sidoqoftë, edhe kjo krizë, dëshmon se korniza aktuale ligjore dhe kushtetuese e vështirëson funksionalitetin e shtetit të Kosovës. Në anën tjetër Kishës Serbe, pakicës serbe e rrjedhimisht Serbisë i jep privilegje të tilla, të cilat sa herë të duan e pengojnë këtë funksionalitet, qoftë edhe me pengimin e projekteve të tilla infrastrukturore”, shprehet Murati.

Sipas kryetarit të LB-së, Manastiri i Deçanit dhe komuniteti fetar serb do të duhej të kuptonte që e vetmja mënyrë për avancimin e marrëdhënieve të mira me shqiptarët, është njohja e realitetit dhe bashkëpunimi me ta në të mirën e dyanshme. Ndërtimi i rrugës ia rrit vlerën kulturore e turistike edhe Manastirit të Deçanit, si një pasuri kulturore e njerëzimit.

“Përndryshe keqpërdorimi i privilegjeve të garantuara me ligje e Kushtetutë, dhe zbatimi i tyre në dëm të shumicës, në realitet veç e vështirëson pajtimin në mes të popujve dhe pozitën e pakicës serbe në Kosovë”, ka shkruar Murati.

Ndryshe, Manastiri i Deçanit ka kundërshtuar ndërtimin e rrugës për Plavë dhe për këtë i ka njoftuar edhe ndërkombëtarët. Madje, Ambasadori i Amerikës ka thënë se është mirë që ndërtimet në atë rrugë janë ndalur.

“Ndërtimi në zona të mbrojtura është i ndaluar me Ligjin për Zonat e Mbrojtura që u miratua nga Parlamenti i Kosovës. Shkelja e këtij ligji, nënkupton refuzimin e Qeverisë së Kosovës që të bëj implementim vendimin të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke i konfirmuar të drejtat pronësore të Manastirit të Deçanit përfaqëson shkeljen më flagrante të institucioneve të Kosovës”, thuhet në reagimin e Manastirit të Deçanit.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 12 milionë euro për vazhdimin e ndërtimit të kësaj rruge e nisur para katër vitesh.