Musliu: Në shtator do të nisin hetimet për veprimtarinë e dyshimtë të Dejona Mihalit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu ka njoftuar se në shtator të këtij viti do të nisin hetimet për veprimtarinë e Dejona Mihalit, e cila njihet si emër i njohur brenda partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Musliu si kryetare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, ka thënë se Mihali ka një veprimtari të dyshimtë, kështu duke u nisur nga dhënia e nënshtetësisë së Kosovës për të.

“Kuvendi i Kosovës është në pushim dhe nuk do të kthehemi deri në javën e dytë të muajit Shtator. Sapo të kthehmi do të marrim hapa konkret për veprimtarinë e Dejona Mihalit. Ka dy ditë që në mediet e Kosovës është lakuar emri i Dejona Mihalit, është kontestuar veprimtaria e saj që me të vërtetë është shumë e dyshimtë dhe ka pas zëra që unë si kryetare e Komisionit duhet t’i kërkojë dosje drejtorit të AKI-së, por unë mendoj që duhet ta kapim problemin në bazë.” – ka thënë Musliu.

Ajo tutje ka deklaruar se Parlamenti i Kosovës duhet në mënyrë urgjente që të ftoj një Komision Hetimor për të rishikuar të gjitha procedurat në këtë çështje.

“Parlamenti i Kosovës duhet urgjentisht të ftoj një Komision Hetimor Parlamentar dhe të hetojë dhënien e nënshtetësisë së Kosovës për Dejona Mihalin, duke marrë parasysh që para pak vitesh kjo e fundit e kishte të ndalur të hynte në Kosovë. Pra duhet të shikohen e rishikohen të gjitha procedurat që janë ndjekur për këtë çështje.” – ka deklaruar Musliu për Gazetën Blic.

Ajo ka shtuar se tek hetimi për Mihalin duhet të fokusohen arsyet pse kryeministri Kurti e instalon atë në sistemin shtetëror.

“Duhet të shikohet edhe veprimtaria e saj e cila ngritë shumë dyshime. Duhet të fokusohemi tek veprimtaria e saj dhe te arsyet pse Albin Kurti e instalon Dejona Mihalin në sistemin shtetëror dhe pse Dejona Mihali është njeriu që kryeministri Kurti e përdorë për implementimin e dëmeve në Kosovë.” – ka përfunduar deputetja e PDK-së.