Musmurati: 70 euro subvencion për familjet e Prishtinës për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, ka zbuluar se kanë hapur thirrjen për subvencionim me 70 euro të familjeve të Prishtinës për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private.

“Kjo është një metodë e re dhe alternative që të rrisim përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve të Prishtinës në edukim të hershëm, që asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa.

Pra, secila familje e Prishtinës, që ka fëmijë të moshës nga 9 muaj deri në 6 vjeç dhe ka të hyrat familjare nën 500 euro, do të përfitojë 70 Euro për të regjistruar fëmijën e tyre në cilëndo çerdhe private të licencuar të Prishtinës”, ka thënë Musmurati në një konferencë për media.

Drejtoresha e Arsimit ka thënë se përfshirja në çerdhe dhe edukimi i hershëm sjellin benefite afatgjate në zhvillimin pozitiv të fëmijës, tanimë është vërtetuar shkencërisht.

“Arsimimi dhe edukimi transformojnë jetët e fëmijëve dhe thyejnë ciklin e varfërisë me të cilin ballafaqohen shumë fëmijë dhe 6 vitet e para të jetës janë vendimtare. Fëmijët mësojnë më shumë gjatë gjashtë viteve të para të jetës se sa në çdo moment tjetër të jetës së tyre”, ka thënë ajo.

Më tutje, Musmurati ka shtuar se investimi në edukimin e fëmijërisë së hershme është një mënyrë e mirë për të zvogëluar boshllëqet që shpesh i vendosin fëmijët me status të ulët social dhe ekonomik në disavantazh jetësor.

“Prandaj, ky është një lajm shumë i mirë për prindërit e rinj që jetojnë në Prishtinë sepse sado pak ju lehtëson barrën financiare të edukimit të hershëm për fëmijët e tyre. Si politikë e re, ky subvencionim do të ndihmojë edhe nënat e reja që të hyjnë në tregun e punës sa më parë dhe të rrisin përfshirjen e grave në tregun e punës”, ka thënë ajo.

Sipas saj, me subvencionimin me nga 70 euro në muaj për familjet e Prishtinës, do të rritet përfshirja e fëmijëve në çerdhe dhe edukim të hershëm dhe pjesëmarrja e grave në tregun e punës, si dhe do të lehtësohet barra financiare për shumë familje në Prishtinë.

“Ne kemi ndarë 100,000 Euro për financim të fazës së parë, por varësisht nga numri i aplikimeve do të rrisim edhe buxhetin. Prandaj i bëj thirrje të gjithë prindërve të Prishtinës që të hyrat familjare i kanë nën 500 Euro të aplikojnë në thirrjen e hapur për subvencionim, e cila tanimë është në uebfaqe të Komunës së Prishtinës dhe në rrjetet tona sociale”, ka thënë Musmurati.

Të gjithë qytetarët mund ta bëjnë aplikimin edhe në sportelin numër 5 në objektin e Komunës së Prishtinës.

Kategoritë të cilat do të kenë përparësi janë nënat vetëushqyese, fëmijët bonjakë, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e prindërve të divorcuar, fëmijët e invalidëve të luftës së UÇK-së si dhe fëmijët e veteranëve të luftës së UÇK-së.