Mustafa: Është e pavend të shtrenjtohet energjia në kohën e inflacionit

Deputeti i Lidhejs Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka thënë se është e pavend të shtrenjtohet energjia në kohën e inflacionit.

“Gjithë ishim dëshmitarë të deklaratave të ZRrE-së që nga 1 prilli do të ketë rritje të kostos ose te çmimeve të energjisë elektrike për 14 për qind. Deklarata e ZRrE-së se as kush nuk ka dorëzuar komente, ta them të vërteten nuk ka ndonjë bazë, sepse vitin e kaluar të gjitha partitë, ose të paktën LDK-ja kishim dorëzuar komente por as një nga këto komente nuk është marrë parasysh. Prandaj është bërë e kotë që me ZRrE-në të dërgojmë komente, sepse nuk merren parasysh”, thotë ai, për eo.

“Kjo është e parëndësishme në fund të ditës; ajo që është e rëndësishme është që ZRrE-ja ka deklaruar që nga 1 prilli i këtij viti qytetarëve të Kosovës do t’u shtrenjtohen faturat e energjisë për 14 për qind. Në kohën kur kemi një krizë energjetike globale, në kohën kur kemi një krizë inflacionale, pra të rritjes së çmimeve në Kosovë, në kohën kur nuk kemi zhvillim ekonomik, në kohën kur nuk kemi asnjë projekt të madh kapital investiv në Kosovë. Nuk kemi rritje të pagave në sektorin publik e të mos flasim për sektorin privat të cilin Qeveria e ka harruar fare, e ka injoruar fare”, u shpreh Mustafa.