Mustafa heq dorë nga posti i presidentit: Nuk kërkojmë dy pozita, e kemi kryeministrin

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se, meqë partia e tij tashmë e ka pozitën e kryeministrit, nuk do të ketë pretendime për postin e presidentit.

Mustafa, në emisionin ‘Pressing’, ka deklaruar se këmbënguljet për postin e të parit të vendit sjellin vështirësi në arritjen e një konsensusi, ndonëse ka thënë se LDK ka kuadro të mjaftueshme për ta mbajtur pozitën e presidentit.

“LDK kemi mjaftueshëm kuadër që do e bënin këtë punë me përgjegjësi shumë të madhe, si dhe mendoj që do e prezantonin shtetin brenda e jashtë. Nuk do të kërkojmë dy pozita, edhe presidentin edhe kryeministrin e vendit. Nëse këmbëngulim që edhe ne ta kemi presidentin, vështirë se do kemi ndonjë zgjidhje”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka kërkuar garancitë nga partitë e tjera që të mos e prishin koalicionin, në rast të përzgjedhjes së shefit të ri të shtetit.

“Droja ekziston edhe të deputetët e LDK-së. Kërkesën time që ta mbajmë tryezën nuk e kom për zgjidhjen definitive, sepse kjo e funda duhet të përcaktohet nga organet e partive. Unë duhet ta kem edhe pëlqimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për të japur një pajtim të tillë. Ne duhet të kemi garanca që të mos ndodh ajo çfarë ndodhi më 2017-ën, të mos prishet koalicioni pas disa muajsh pas zgjedhjes së presidentit”, ka shtuar kreu i LDK-së.