Mustafa: Kërkojmë t’iu kthehen qytetarëve mjetet që u janë vjedhur për tre muaj

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka kërkuar sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës që t’iu kthehen qytetarëve mjetet që kanë paguar më shtrenjtë për faturat e energjisë elektrike.

Deputeti Mustafa tha se partia në pushtet ka kapur bordin e ZRRE-së dhe KEK-ut që kompanitë e saj t’i “trashin” xhepat.

“Dje Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, se vendimi i ZRRE-se për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike ishte e paligjshëm. Këtë ua kemi thënë këtu, në seanca, në komisione, në debate të hapura e të mbyllura, por partia në pushtet nuk dëgjonte, në fakt insistonin që tarifat e rrymës të rriten dhe të dyfishohen. Pse insistonin dhe çka bën me ato 120 milionë euro që i paguan për rrymën? Tash gjithçka duket e qartë. E kanë kapur bordin dhe menaxhmentin e KEK-ut, po ashtu edhe ZRRE-në duke e shndërruar në departament të Qeverisë dhe njerëzit e lidhur ngushtë me pushtetin ose siç i quanin në të kaluarën oligarkët e lidhur me pushtetin, kanë kompani që tregtojnë me rrymë në Kosovë dhe kështu e mbyllën qarkun… ZRRE e rriti çmimin e rrymës dhe kompanive të partive në pushtet iu trashën xhepat. Skenë perfekte për të pasuruar kompanitë e partisë në pushtet dhe disa individ të fortë brenda kësaj partie… Kërkojmë që urgjentisht t’u kthehen qytetarëve mjetet që ua janë vjedhur-vjedhur në këta tre muaj. Të rishikohen tarifat menjëherë dhe të kenë të ligjshme”, tha Mustafa.

Ai po ashtu ka kërkuar që të shkarkohet Bordi i ZRRE-së.

Deputeti Mustafa foli edhe për projektin e gazit, për çka tha se partia në pushtet refuzoi gazin amerikan duke ditur se nuk do të mund të përfitojnë.