Mustafa nga Riinvest: Qeveria e re do të ballafaqohet me problemet e Ligjit të Pagave

Instituti Riinvest ka organizuar diskutim lidhur me temën “Ligji mbi Pagat në sektorin publik: implikimet dhe stabiliteti makro-fiskal”.

Drejtori i këtij institute, Muhamet Mustafa, ka thënë se Ligji për Pagat në sektorin publik është bërë pa analiza paraprake dhe se i njëjti do t’i shkaktojë problem qeverisë së re.

“Ligji i Pagave është ndërtuar mbi raportet e përkeqësuara, ku kostoja e Qeverisë së Kosovës ka qenë shumë më e madhe me zhvillimin ekonomik. Kosova po hyn në një trend të rritjes së borxhit publik”.

“Qeveria e re do të ballafaqohet me këtë problem me Ligjin e Pagave. Situata është e keqe. Me ligjin e ri kalojmë të gjitha kriteret e qeverisjes së mirë makroekonomike, pra jemi duke shkuar nga e keqja. Ligji i ri ka probleme të shumta, por më i madhi që është bërë pa analiza dhe hulumtime.”.

Në këtë tryezë, ndër të tjera u tha se Ligji i ri për Paga bën që kërkuesit për punësim të demotivohen, pasi që bëhet një dallim i madh mes pagës në sektorin publik dhe atij privat.