Mustafa pas votimit: Qytetarët sot vendosin për fatin dhe qeverisjen e tyre

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka votuar në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Pas votimit ai ka dhënë një prononcim për media, ku ka theksuar se sot qytetarët vendosin për fatin dhe qeverisjen e tyre, njofton Klan Kosova.

“Sot konsideroj se është një ditë tepër e rëndësishme për Kosovën. Qytetarët sot vendosin për fatin dhe qeverisjen e tyre. Kam besim të qytetarët, kam besim se Kosova do të kthehet në binarë”.

“Unë do t’i ftoja sot qytetarët që të marrin pjesë në votim në mënyrë që të shprehet vullneti i tyre”.

“Kam vërejtur se gjatë fushatës ka pasur njerëz më shumë prezent dhe me këtë konsideroj se do të kemi më shumë votues”.

“Shpresoj që do të dalin më shumë sesa në herët e kaluara. Nuk kam vërejtur ndonjë parregullsi të madhe. Është me rëndësi të kemi një proces transparent dhe ai që të fitojë të fitojë me meritë”.