Mustafi: Me Gërvallën biseduam që edhe çështja e Luginës të shtrohet në dialogun Kosovë-Serbi

Në kuadër të takimeve me përfaqësues të institucioneve, partive politike dhe qytetarë të Luginës së Preshevës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim edhe me Ragmi Mustafin – kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë.

Mustafi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me ministren Gërvalla kanë biseduar për pasivizmin e adresave, problemet në arsim, mosnjohja e diplomave, mos zhvillimin ekonomik të komunave të Luginës së Preshevës, pajisja me dokumente shqiptarët të Luginës së Preshevës që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë.

Ai gjithashtu ka thënë se kanë biseduar edhe për gjuhën e urrejtjes nga ministrat shtetëror të Serbisë, nevoja e shtrimit të temës së Luginës në dialogun Kosovë-Serbi.

Tema të bisedës, sipas Mustafit, ishin edhe largimi I të rinjve shqiptarë nga Lugina drejt vendeve perëndimore shkaku i pamundësisë së zhvillimit të kapaciteteve të tyre e zhvillimit të dobët ekonomik, vazhdimi i programit të angazhimit praktikantëve nga Lugina e Preshevës në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Mustafi ka thënë se nga ministrja Gërvalla ka kërkuar qasje programatike përmes strategjisë së përbashkët e sistematike përmes mekanizmave rajonal e ndërkombëtar.

“Këshilli Kombëtar Shqiptar do vazhdojë të jetë këmbëngulës në avokimin dhe realizimin e aspiratave kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Mustafi.