Nagavci: Deklaratat nga SBASHK-u, të çuditshme dhe të pakuptimta

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci ka folur për programin e qeverisë në fushën e arsimit, duke renditur si një prej prioriteteve arsimin gjithëpërfshirës dhe të dixhitalizuar.

Në tryezën e organizuar nga Lëvizja FOL, Nagavci ka folur për deklaratat e drejtuesve të SBAShK-ut lidhur me mundësinë e vlerësimit të mësimdhënësve, nevojën urgjente të rishikimit të teksteve mësimore, ndërkohë ka bërë të ditur se në javën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës të dërgohen emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Arsimi gjithëpërfshirës dhe i digjitalizuar, harmonizimi i shkollave profesionale me tregun e punës, menaxhimi efektiv i arsimit në të gjitha nivelet, menaxhimi i cilësisë në arsimin e lartë dhe përmirësimi i mjedisit për hulumtim dhe inovacion, janë prioritetet kryesore të Arbërie Nagavcit për mandatin e saj të parë si ministre e arsimit.

Nagavci ka thënë se do të mbështesin të gjithë mësimdhënësit në punën e tyre, duke shtuar se legjislacioni aktual e bënë të qartë mënyrën e vlerësimit të mësimdhënësve.

“SBAShK-u, kanë qenë të çuditshëm deklaratat e tyre kohët e fundit, ka qenë e pakuptimtë për mua që kryetari i SBAShK-ut të dalë me deklarata që kemi dëgjuar fjalë apo thashetheme, këtu po e citoj ‘kemi dëgjuar disa fjalë apo thashetheme se do të veprohet kështu ose ashtu’, personalisht si ministër e arsimit do të kujdesem që të ketë transparencë të plotë në vendimet e mija dhe përpos transparencës do të mundohem që në tërësi të respektoj legjislacionin në fuqi, ndërkaq aty ku ka nevojë të rishikohet legjislacioni do të punojmë në rishikim… Legjislacioni aktual e përcakton mënyrën si bëhet vlerësimi i perfomancës së mësimdhënësve, rol kyç këtu ka inspektorati, vlerësimi i perfomancës nga drejtorët e shkollave dhe vetëvlerësimi”, tha ajo.