Nagavci e ndërlidh shembjen e Teatrit në Tiranë me rrëzimin e qeverisë Kurti

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga VV-ja, Arbërie Nagavci, ka thënë se sot në Shqipëri është shembur dhunshëm teatri.

“Në Tiranë rrëzuan godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, në Kosovë rrëzuan Qeverinë e re të Albin Kurtit, të dyja në kohë pandemie globale, të dyja kundër vullnetit të qytetarëve”, ka shkruar Nagavci në llogarinë e saj në “Facebook”.

Postimi i plotë i Nagavcit:

Sot në orët shumë të hershme të mëngjesit, dhunshëm u shemb teatri.

Në Tiranë rrëzuan godinën e vjetër të Teatrit Kombëtar, në Kosovë rrëzuan Qeverinë e re të Albin Kurtit, të dyja në kohë pandemie globale, të dyja kundër vullnetit të qytetarëve.

Për të mirën e shqiptarëve do duhej të binte e vjetra në mendësi, në sjellje e qëllime të këqia. Tek ne po ndodh e kundërta, po rrëzohet e reja progresive e po shembet kujtesa historike.

Në skenën e teatrit vazhdimisht luhen drama, por vjen koha dhe perdet bien. Shfaqja përfundon dhe spektatorët duartrokasin e shfaqin mirënjohjen ose fishkëllejnë, shajnë e mallkojnë. Por në fund pushtetet e vjetra do të shemben se s’bën.