Pas Kolorados, edhe shteti Maine e përjashton Trumpin nga gara për president

Zyrtarja më e lartë e zgjedhjeve në shtetin verilindor të ShBA-së, Maine, ka marrë vendim që ish-presidenti Donald Trump nuk mund të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale në këtë shtet vitin e ardhshëm, duke e cituar pikën për kryengritje në kushtetutë.

Sekretarja e Shtetit në Maine, Shenna Bellows, tha se Trumpi nuk i plotëson kushtet për shkak të veprimeve të tij që kishin çuar në kryengritjen në Capitol më 2021, raporton televizioni BBC.

Maine tashmë i bashkohet Kolorados si dy shtete që ia kanë ndaluar Trumpit pjesëmarrjen në zgjedhje. Ky vendim e shton presionin ndaj Gjykatës Supreme të ShBA-së për t’u përfshirë në çështje.

Votuesit në Kolorado zakonisht e votojnë Partinë Demokratike, por konkurrenca politike në Maine është më e fortë dhe humbja e mundshme në këtë shtet do të ishte domethënëse për Trumpin.

Në vendimin me 34 faqe thuhet se Trumpi duhet të hiqet nga fletëvotimi në Maine për shkak të Amendamentit të 14-të të Kushtetutës së ShBA-së, me të cilin i ndalohet mbajtja e postit publik kujtdo që është “angazhuar në kryengritje ose rebelim”.

Zonja Bellows tha në vendimin e saj se Trumpi “në rrjedhën e disa muajve e duke kulmuar më 6 janar 2021, përdori një narrativë të rreme të mashtrimit në zgjedhje për t’i nxitur përkrahësit e tij dhe për t’i drejtuar ata drejt Capitol-it”.