Nagavci: Është johumane të rrëzosh qeverinë në këtë situatë të pandemisë me koronavirus

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Arbërie Nagavci, e ka rrumbullakuar ditën e mërkurë si tepër të rëndë për vendin, meqë sipas saj ndodhën zhvillime që nuk janë as humane e as morale.

Duke komentuar nismën e partnerit të koalicionit, LDK-së, për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, Nagavci në intervistën dhënë në Interaktiv të KTV-së, tha se qytetarët më së paku kanë pasur nevojë për një situatë të tillë në kohë pandemie.

“Sot është një ditë e rendë për shumicën e qytetarëve. Ne duhemi të përballemi edhe me këtë situatë politike”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Qeveria Kurti është përballur me sfida të ndryshme që nga fillimi, por ajo ka shfaqur shpresën te gjenerata e re e LDK-së, apo siç I ka quajtur ajo “zërat e rinj”.

Ajo çuditet se si partneri i koalicionit ka ndërruar qëndrim sa i përket taksës, përkatësisht zëvendësimit të saj me reciprocitet.

“Kemi një program të votuar qeverisës, nga gjithë kabineti qeveritar.

Në atë program thuhet se tarifa do të zëvendësohet me reciprocitet dhe tash kemi deklarata të tilla, dhe në një situatë çfarë jemi, duke u përballur me pandeminë. Është papërgjegjësi e plotë”, ka thënë Nagavci.

Ajo nuk ka dashur të parashikojë se çfarë do të ndodhë me mocionin që e ka paralajmëruar LDK-ja, por ka përsëritur qëndrimin e shefit të Qeverisë se duhet të pritur se në çfarë formë dhe si do të vijë.

“Parimisht, është e natyrshme që opozita të presë çfarëdo rasti që të rrëzojë Qeverinë në rrethana normale. Por është e panatyrshme që një partner të iniciojë mocionin për rrëzimin e qeverisë për programin që e ka votuar vet. Është johumane të nisesh nga aspekti politik në një rrethanë kur vendi po përballet me situatë të rendë”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, në aspektin moral e human, nevojitet goxha papërgjegjësi ndaj qytetarëve në momente kur vendi po përballet me pandemi për një nismë të tillë.

Ajo ka shtuar se Qeveria do të vazhdojë me punën, duke marrë vendime që shkojnë në të mirën e qytetarëve.

“Nuk mund të them që s’e kemi problem rrëzimin, ky është vetëm fillimi. Ne do të marrim secilin vendim, duke menduar interesin e qytetarëve, përderisa kemi një Qeveri që është në kuadër të përgjegjësive të veta”, tha Nagavci.