Nagavci: Nuk ka qeveri pa fituesin e zgjedhjeve

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë që nuk është e drejtë propaganda që është duke iu bërë kësaj lëvizje, ku është duke u quajtur antiamerikane.

Nagavci në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se LDK-ja ka koordinuar qëndrimet me presidentin Hashim Thaçi, për të krijuar një qeveri pa Vetëvendosjen.

Në këtë kontekst, ajo ka thënë se nuk mund të ketë qeveri pa fituesin e zgjedhjeve

Postimi i plotë i Nagavcit:

Kot po vazhdoni me propagandën se LV! është antiamerikane.

Nuk ka shqiptar që nuk është mirënjohës për kontributin e SHBA, vendeve të BE dhe gjithë miqve tanë që na kanë përkrahur e ndihmuar në shtetformimin dhe zhvillimin e Kosovës. Nuk ka shqiptar në Kosovë që është kundër bashkëpunimit me këto vende.

Pasi e dini se LV! nuk mund ta akuzoni as për krim e as për korrupsion, pasi ajo nuk ndan me ju barrën e keqqeverisjes së dy dekadave tashmë, se është e vetmja parti që ktheu shpresën tek qytetarët, keni vazhduar me shpifje e propaganda, kësaj radhe me gënjeshtrën se LV! do të na prishë marrëdhëniet me SHBA-të. Kush, ju që s’keni lënë asgjë pa prishur në këtë vend, që nga punësimet të tenderët, që nga shëndetësia te arsimi, që nga infrastruktura te kultura. Ju, që zaptuat çdo gjë, që morët tituj pa dije e u bëtë milioner pa punuar asnjë ditë në jetë.

Dhe tani në këtë llum ku jeni zhytur po tentoni të përhapni baltë gjithandej. Kot e keni,e vërteta është e pastër si loti, e zeza mbi të bardhë, deputetët e LDK që votuan mocionin nuk mbajtën premtimet e tyre ndaj qytetarëve se bashkë me LV! do të luftojnë krimin e korrupsionin, ata u bënë bashkë me deputetët e PAN dhe Lista Srpska.

LDK, partneri ynë qeverisës e inicioi mocionin për mosbesim ndaj Qeverisë Kurti edhe pse vet kishin votuar programin qeverisës se tarifa do të zëvendësohet me reciprocitet.

Pasi morët mbi vete turpin që të lini Kosovën pa Qeveri në kohë të pandemisë botërore, pasi votuat mocionin e mosbesimit për Qeverinë që po bënte një punë të shkëlqyeshme edhe në menagjimin e përhapjes së infektimit dhe shërimit të të identifikuarve pozitiv, tani keni filluar propagandën ndaj Kryeministrit më të mirë që ka pasur vendi.

Por e vërteta është se ju keni koordinuar qëndrimet me presidentin Thaçi të krijoni një qeveri pa LV!, një qeveri me AAK e NISMA, atë që me të drejtë i akuzonit deri dje.

Por kjo nuk është e mundur.

Në këtë ngutin tuaj të jeni dhe një herë në shërbim të Thaçit nuk do të keni sukses, andaj dhe propaganda nuk do të iu bëj punë.

Nuk ka qeveri pa fituesin e zgjedhjeve.

#RriNëShtëpi.