Ndaj Thaçit dhe të tjerëve dëshmon punëtori i Ministrisë së Brendshme të Serbisë

Dëshmitari i 46-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) me kodin W00498, ka thënë se punon në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.

Pas përfundimit të pyetjeve nga prokurori Niko Barling, dëshmitarin ka filluar ta marrë në pyetje avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari tha se punon në Ministrinë e Brendshme të Serbisë dhe merret me emigrantë.

Ndërsa, kur u pyet se a është këshilluar nga punëdhënësi i tij lidhur me paraqitjen e tij me një emër tjetër gjatë procesit të dëshmisë, kjo gjë u mohua nga dëshmitari.

“Jo, punëdhënësi im nuk e dinë fare që unë sot jam këtu”, tha ai.

Dëshmitari i 46-të i ZPS-së fillon dëshminë në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ka filluar dëshminë e tij dëshmitari i 46-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me kodin W00498, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në seancën e mbajtur më 1 shkurt 2024, dëshminë e filloi dëshmitari i 45-të i ZPS-së, Hajrush Kurtaj, i cili pritej që ta vazhdojë edhe sot dëshminë, por dëshminë po e filloi dëshmitari i 46-të, i cili po dëshmon pa masa mbrojtëse dhe identiteti i tij nuk u bë i ditur.

Sipas përmbledhjes që ZPS-ja lexoi në sallën e gjyqit, ky dëshmitar do të dëshmojë për rrëmbimin e anëtarëve të familjes në zonën e Rahovecit.

Në fillim ky dëshmitar në pyetje është marrë nga prokurori Niko Barling, ku tha se edhe pse kishin shpresë që babai dhe vëllai i tij mund të ishin gjallë, ata u gjetën të vdekur.

“Më 2007 na thanë se e gjetën ADN-në e vëllait dhe babës tim. Në qershor shkova i mora eshtrat e tyre”, tha dëshmitari.

Këtë seancë, përmes video-lidhjes është duke e përcjellë gjykatësi Christoph Barthe dhe Jakup Krasniqi.

Para dëshmisë së këtij dëshmitari, trupi gjykues lëshoi një urdhër gojor, duke urdhëruar Luka Mishetiqin që të dorëzojë listën e përditësuar të anëtarëve të ekipit mbrojtës të mbrojtjes së Thaçit deri më 11 mars.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor, shkruan Betimi për Drejtësi.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.