Abazi: Qeveria të mos i përzihet ZRRE-së në përcaktimin e tarifave të rrymës

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Instituti GAP në një konferencë për media, kanë prezantuar raportin “Procesi tarifor në Zyrën e Rregullatorit për Energji”.

Ky raport përshkruan strukturën e tarifave të energjisë elektrike në Kosovë si dhe proceset e vendosjes së tarifave nga viti 2007 e deri më sot.

Hulumtuesi në INDEP, Dardan Abazi, ka thënë se Kosova nuk ka një treg të organizuar dhe se tregtimi me shumicë i energjisë elektrike kryhet kryesisht përmes kontratave bilaterale ndërmjet prodhuesve dhe furnitorëve.

Sipas tij, sistemi energjetik i Kosovës përballet me shumë sfida të sigurisë së furnizimit dhe sfidat që rrjedhin nga dekarbonizimi dhe tranzicioni energjetik.

Ai ka thënë se raporti tematik është bazuar në shqyrtimin teorik dhe praktik të aspekteve kyçe që kanë të bëjnë me procesin e rishikimit të tarifave të energjisë elektrike në Kosovë.

“Meqenëse në Kosovë ende nuk ka një treg të organizuar të ditës ose brenda ditës, tregtimi me shumicë i energjisë elektrike kryhet kryesisht përmes kontratave bilaterale ndërmjet prodhuesve dhe furnitorëve. Një pjesë e energjisë elektrike për plotësimin e kërkesës vendase për nevojat e klientëve kanë të drejtë për shërbimin universal për të mbuluar humbjet e sistemit, si dhe për klientët me çmime të çrregulluara, importohet nëpërmjet kontratave dypalëshe në tregun e lirë”, ka theksuar Abazi.

Ai tha se raporti tregoi se vetëdija e publikut për procesin e rishikimit të tarifave të energjisë elektrike është ende ne nivel të ulët në Kosovë.

“Procesi i vënies së tarifave, ne kemi konsideruar që njoftimi i ZRRE-së që e bën në faqen e saj online dhe në kanalet tjera është i pamjaftueshme, kemi konsideruar që procesi i konsultimeve sa i takon vendosjes së tarifave duhet të shkojë edhe një hap më tutje t’i njoftojë konsumatorët qoftë në baza regjionale, pra mendojmë që duhet shkuar një hap më tutje në i formimin e konsumatorëve sa i takon dokumenteve që shpesh herë janë teknike dhe jo të gjithë mund t’i kuptojnë”, është shprehur Abazi.

Sipas tij, nuk është normale Qeveria të komunikojë me ZRRE-në me rastin e vendosjes së tarifave.

“ZRRE-ja mund të bëjë takime të rregullta me shoqërinë civile apo me grupet e tjera që mund të kenë interes që të përfshihen në procesin e konsultimeve publike. Kemi konsideruar që kapacitet e ZRRE-së duhet të rriten, të ketë trajnime shtesë për stafin sa i takon kalkulimit të cilat i dorëzojnë kompanitë në rastin e caktimit të tarifave dhe duhet pasur parasysh rritjen e pavarësisë së saj dhe nuk është normale që Qeveria të komunikojë me ZRRE-në me rastin e vendosjes së tarifave dhe nuk është normale as të ketë harmonizim ndërmjet tyre sepse ZRRE-ja është institucion i pavarur”, ka deklaruar Abazi. / EO