Ndalet sërish Arsenal, lëshon fitoren nga duart (video)

Arsenali ka marrë vetëm një pikë në udhëtim te Watfordi, sfidë kjo që përfundoi 2-2. Pas këtij barazimi, Arsenali ka mbetur në pozitën e shtatë me tetë pikë të grumbulluara.

Nuk këndellet Arsenali, pas humbjes nga Liverpooli dhe barazimit me Tottenhamin, edhe Watfordi i ka ndalur “Topçinjtë”.

Në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Vicarage Road”, në kuadër të xhiros së pestë në Premierligë, Arsenali dhuroi spektakël në pjesën e parë, duke shënuar dy herë në portën e kundërshtarit, por pranuan dy gola në pjesën e dytë, për të barazuar në fund 2-2.

Për “Topçinjtë” shënoi sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang në minutat 21’ dhe 32’, kurse në pjesën e dytë, në minutën e 54’, pas një gabimi të mbrojtësit të Arsenalit, Sokratis, Tom Cleverley, ish-mesfushori i Manchester United e shfrytëzoi më së miri për të shënuar për 1-2 dhe për ta bërë më interesant këtë ndeshje.

Teksa Arsenali kërkonte golin e qetësisë, erdhi goli i barazimit për vendasit.

Roberto Pereyra shënoi për 2-2 në minutën e 81’, pasi David Luiz ndërhyri në mënyrë të palejueshme, duke shkaktuar penallti.

Pas këtij barazimi, Arsenali mbetet në pozitën e shtatë me tetë pikë të grumbulluara nga pesë ndeshje të zhvilluara deri më tani në Premierligë.

https://www.youtube.com/watch?v=h5TnRf9kkJA