Arrestohet pasi e shiti veturën e dikujt tjetër

Të dielën në orën 19:20, policia në Ferizaj ka pranuar një informacion se në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj është një rast i shpërdorimit të pasurisë së huaj.

Në lidhje me këtë, policët e stacionit në Ferizaj, nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i kanë marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe i kanë nisur hetimet.

Nga hetimet e para, sipas ankuesit, dy të dyshuar i kanë marrë dy automjete në shërbim dhe nuk ishin lajmëruar më.

Policët hetues, pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, kanë arrestuar personin L.Q ( M/K) i moshës 23 vjeçar, i cili pasi kishte marrë në shërbim një veturë nga personi E.J ( M/K) i moshës 22 vjeçar, e kishte shitur atë në qytetin e Lipjanit një personit tjetër.

I dyshuari i parë L.Q është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit të rastit, është ndaluar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme. Rasti është cilësuar “Shpërdorimi i pasurisë së huaj”, ndërsa vetura i është kthyer pronarit.

Në kërkim policor mbetet edhe një person tjetër për shpërdorim të pasurisë së huaj për një automjet tjetër ndaj të njëjtit pronar.