Ndalohen të gjitha vizitat në burgjet e Kosovës, shkak rritja e rasteve me COVID-19

Të gjitha vizitat familjare janë ndaluar në burgjet e Kosovës, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19.

Përmes një komunikate për media, Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, bazuar në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme të pandemisë në vend, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të të burgosurve dhe stafit, merr vendim që nga data 22 janar 2021, të ndërmarr këto veprime të përkohshme për zbatimin e masave kundër COVID-19:

Ndalimin e vizitave familjare për të gjitha kategoritë e të burgosurve;

Ndalimin e vikendeve për të dënuarit nëpër institucionet korrektuese;

Ndalimin e vizitave në lokalet e veçanta;

Aplikimin e sistemit virtual të komunikimit “Skype” për të burgosur për të mundësuar kontaktet me familjet, sipas rutinës së përcaktuar nga Institucioni;

Lejimin e numrit të shtuar të thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe;

Pastrimi i rrobave për të paraburgosur do të organizohet në Institucione.