Ndërkombëtarët pas dorëheqjes së Haradinajt: Të formohet shpejt një qeveri funksionale

Pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinajt, për shkak të ftesës për intervistim në Hagë nga prokurori i specializuar, zyrtarë të ambasadave të huaja që veprojnë në Kosovë po kërkojnë që sa më shpejt të formohet një Qeveri funksionale, siç kanë thënë ata, për ta vazhduar dialogun me Serbinë.

Megjithatë, ndërkombëtarët kanë refuzuar të përgjigjen konkretisht nëse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, siç po kërkon kryeministri dhe shumica e partive parlamentare në vend, ose ta formojë një qeveri teknike për t’ia hapur rrugën dialogut Prishtinë – Beograd, shkruan më tutje Gazeta “Zëri”.

Nga Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë kanë deklaruar për gazetën “Zëri” se Kosova i ka disa sfida para vetes, të cilave duhet t’u gjendet zgjidhje, duke vënë theksin në dialogun Kosovë – Serbi.