Një muaj paraburgim ndaj policit të dyshuar për vrasjen e kolegut në Zllatar, arrest shtëpiak për pesë të tjerët

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për të dyshuarin F.M lidhur me rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Zllatar, ndërsa pesë të tjerëve iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Ndryshe, të premten mbrëma një zyrtar policor ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit, teksa ishte në një ndejë bashkë me 15 zyrtarë policorë.

Inspektorati Policor i Kosovës, kishte njoftuar se lidhur me rastin janë arrestuar gjashtë zyrtarë policorë, prej tyre njëri i akuzuar për veprën penale “Vrasje”, ndërsa pesë të tjerët për “Shkaktim të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Ndryshe, përmes raportit 24 orësh, policia të dielën bëri të ditur se të gjithë zyrtarët policorë që ishin pjesë në vendin e incidentit, janë suspenduar nga puna.