Ndërron jetë punonjësi i Doganës, i infektuar me COVID-19

Një doganier ka vdekur si rezultat i prekjes së koronavirusit. Lajmin e ka bërë të ditur në rrjetet sociale Dogana Shqiptare që jep këtë lajm të dhimbshëm për largimin e punonjësit të saj në moshë të re, transmeton Fokusi.info.

Lajmërimi i plotë

Me dhimbje të madhe morëm njoftimin për humbjen e parakohëshme të kolegut tonë R.K, i cili prej ditësh ishte i shtruar në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi, i konfirmuar me COVID 19.
Kolegu u nda nga jeta pasi prej dy javësh ishte në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pavarësisht trajtimit të bërë nga stafi mjekësor, asistencës të ventilimit mekanik të respiracionit dhe mjekimit intensiv, kolegu nuk ka mundur të mbijetojë.
I gjithë stafi i Administratës Doganore Shqiptare i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe miqve të të ndjerit.

Bashkohemi me dhimbjen tuaj!

Të prehesh në paqe koleg!

Pavarësisht situatës së vështirë në të cilën po punojnë çdo ditë punonjësit e ADSH-së, ata janë në krye të detyrës 24 orë, në 7 ditë të javës, për të përmbushur me përkushtim dhe devotshmëri misionin e tyre, si në pikat e kalimit kufitar, ashtu edhe në shërbim të çdo qytetari apo biznesi në doganat e brendshme.