Ndërtohet shkolla pa projekt adekuat të ndërtimit

Shkolla “Gjergj Kastrioti” në Llazicë të Malishevës u ndërtua pa pasur projekt të veçantë të ndërtimit. Në dosjen e tenderit për ndërtimin e kësaj shkolle, “Preportr” ka gjetur se i gjithë projekti është i njëjtë me projektin e shkollës fillore “Salih Bytyçi” në të njëjtën komunë. Si rezultat i mosplanifikimit të mirë të projektit Komuna një muaj më vonë kishte nënshkruar një aneks kontratë.

Komuna e Malishevës vitin e kaluar kishte iniciuar procedurat e prokurimit për ndërtimin e një shkolle në fshatin Llazicë pa pasur një projekt të veçantë të ndërtimit. Për ndërtimin e shkollës “Gjergj Kastrioti” në Llazicë Komuna ka përdorur projektin e një shkolle ekzistuese pa bërë fare adaptimin e atij projekti. Në dosjen e tenderit për ndërtimin e shkollës në Llazicë, “Preportr” ka gjetur se i gjithë projekti është i njëjtë me projektin e shkollës fillore “Salih Bytyçi” në Shkozë, shkruan “Zëri.

“Preportr” ka shqyrtuar kontratën për ndërtimin e shkollës “Gjergj Kastrioti”, e nënshkruar më 05.07.2017, nga Komuna e Malishevës me operatorët ekonomikë NN “Themeli” dhe “Electra” SHPK. Kontrata ka vlerën prej 427,745 eurosh. Ekipi i “Preportr”-it gjithashtu ka vizituar dy shkollat e komunës së Malishevës, të cilat edhe në dukje vërehen për nga ngjashmëritë.

Si pasojë e mosplanifikimit të mirë të projektit, Komuna e Malishevës një muaj më vonë kishte nënshkruar një aneks kontratë në mënyrë që t’i përfundojnë punimet. Çmimi i aneks kontratës kap vlerën prej 41, 964.95 euro.