Në lidhje me përleshjet në LDK deklarohet AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës përmes një kumtese është deklaruar për zhvillimet e fundit [gjatë zgjedhjeve të brendshme të LDK-së.

Në kumtesë theksohet se AAK e respekton procesin e brendshëm zgjedhor në LDK dhe e konsideron çështje të brendshme të saj. Është në interesin e demokracisë në vend një proces i shëndoshë zgjedhor në të gjitha partitë politike, e edhe në LDK.

Por, vazhdon kumtesa, nuk mundemi të mos vërejmë se përplasjet e brendshme në LDK dhe përpjekjet e grupeve të caktuara për të marrë kontrollin e partisë, ndonjëherë duke degjeneruar edhe në përplasje fizike, janë shëmtuese për vet LDK-në. Për më tepër përpjekjet për të implikuar AAK-në në këto incidente janë shpifje dhe përpjekje për të mbuluar defektet e brendshme të LDK-së.

Personi i përmendur si i implikuar në Kuvendin Zgjedhor të Degës së LDK-së në Mat, nuk është anëtar i AAK-së! Ne si parti i kemi punët tona dhe pos respektimit të zgjedhjeve të brendshme në LDK, nuk kemi asnjë interes tjetër, përfundon kumtesa.