Në mesin e të infektuarve nga Vitia edhe një 4-vjeçar

Mbrëmë janë konfirmuar nëntë raste të reja me COVID-19 në Komunën e Vitisë. Në mesin e të infektuarve është edhe një 4-vjeçar. Detaje rreth gjendjen atje ka dhënë Kryetari i Komunës, Sokol Haliti.

Haliti i ka thënë Express se rastet e mbrëmshme janë raste kontakti nga fshatrat Gushicë dhe Pozhoran.

Ai ka treguar se po vazhdojnë me dezinfektimin e hapësirave që janë më të rrezikuara, derisa thotë se edhe sot do të vazhdojnë me shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjenike për familjet nevojtare.

“Fatkeqësisht mbrëmë na ka njoftuar Instituti edhe për nëntë raste të reja. Janë prej fshatrave Gushicë dhe Pozhoran dhe janë raste kontakti. Janë të moshës së re, në mesin e tyre edhe një 4-vjeçar. Sot do të vazhdojmë me testime, por numri nuk dihet ende. Poashtu jemi duke vazhduar me dezinfektime në zonat e rrezikuara dhe do të vazhdojmë me shpërndarjen e pakove ushqimore dhe higjenike për familjet në nevojë”, ka thënë Haliti.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar mbrëmë se nga testimi i 209 mostrave të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore, kanë rezultuar të infektuar 31 persona.

Duke marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë është raportuar për 480 persona të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi.

Në mesin e tyre, 84 pacientë janë shëruar, ndërsa 12 persona kanë vdekur.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.