Në Mitrovicë inaugurohen fotografitë e personaliteteve më të shquara, mungon ajo e ish kryeministrit Bajram Rexhepi

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, mori pjesë në inaugurimin e fotografive të 27 personaliteteve më të shquara në historinë e qytetit të Mitrovicës.

Në vendin e lindjes së saj, Osmani, theksoi se i pëlqen kjo ide dhe tha se si shoqëri duhet përkrahur të gjitha fushat.

“Një shoqëri që injoron intelektualin, një shoqëri që injoron sportistin, një shoqëri që injoron artistin e dijetarin, nuk mundet kurrë me ecë përpara, dhe ne nuk jemi shoqëri e tillë”, tha Osmani.

Për të marrë pjesë në këtë ngjarje erdhën edhe përfaqësues nga Sanxhaku, e po ashtu edhe shumë qytetarë të tjerë, të cilët thanë se iu vjen mirë që në qendër të qytetit do të kenë disa nga figurat që dhanë mund për Mitrovicën.

Megjithatë, kritika pati Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Mitrovicë, që thonë se duhet të përfshihen edhe dhjetëra emra të tjerë, në mesin e tyre edhe Bajram Rexhepi.

Këta mbase do të jenë pjesë e fotografive që do të vendosen në muajt në vijim, ngase sipas komunarëve kjo është thjeshtë faza e parë./klankosova/