Në shenjë proteste, veteranët e UÇK-së i gjuajnë telefonat tek oborri i EULEX-it

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka protestuar para zyrave të EULEX-it në Fushë-Kosovë, raporton Ekonomia Online. Kjo protestë është thirrur për të kundërshtuar veprimet e fundit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Protestuesit kanë hedhur telefonat e tyre brenda oborrit te EULEX, në shenjë proteste për bastisjet e fundit që kanë kryer njësitet e EULEX-it ditët e fundit.

Ushtruesi i detyrës së OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, tha se Specialja dhe EULEX-i po i shqetësojnë familjet e bashkëluftëtarëve dhe dëshmoreve.

Sipas tij, këto institucione po bëjnë “filma” dhe se shteti nuk është duke ndërmarrë asnjë veprim. Për këtë ai ka bërë thirrje që të ndalen menjëherë këto bastisje.

“Që nga përfundimi i luftës së UÇK populli është përballur me shumë sfida e padrejtësi. UNMIK-u kishte mandat që të gjykonte krimet e kryera në Kosovë, por akuzojë e gjykojë vetëm shqiptarë. EULEX-i kishte mandat gjykimin e krimeve të kryetare Kosovë, por akuzojë e gjykojnë vetëm shqiptarët”.

“Dhomat e Specializuar të Kosovës gjykojnë vetëm shqiptarët, po jo krimet e kryera në Kosova, por jo krimet dhe maskat që i ka shkaktuar pushtuesi serb ndaj civilëve. Ato gjykojnë luftën tonë çlirimtare, gjykojnë vetëm UÇK sikur organizata duke e quajtur edhe ndërmarrje e përbashkët kriminale. Do të ishte edhe më mirë që sa më shumë dëshmitar të dalin në seanca publike që ta marrim veshe edhe ne kur dëshmitë e tyre të  përmbysen nga mbrojtja e krerëve të UÇK-së”, tha ai.

Ditëve të fundit, me urdhër të Gjykatës Speciale në Hagë, EULEX-i ua ka konfiskuar telefonat ish-komandantit në Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafës – Remit, ish të burgosurit politik, Nait Hasanit, Arben Mustafës, vëllait të ish-komandat Salih Mustafës – Calit.

Ndërsa, përveç vëllait të “Calit”, njësitet e EULEX-it dje kryen një bastisje edhe në shtëpinë e Behar Berishës, ish-pjesëtarit të UÇK-së i cili ishte bashkëluftëtar i Salih Mustafës.