Në Shqipëri 29 raste të reja me COVID 19, numri i të prekurve shkon në 333

Ka shkuar në 333 numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri. Në përditësimin e MSH-së, këtë mesditë u konfirmuan po ashtu 29 raste të reja. Ndërkohë një tjetër person ka ndërruar jetë, duke e çuar në 18 numrin e viktimave nga virusi vdekjeprurës.

Specialistja e Instituti i Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi tha se në 24 orët e fundit janë testuar 216 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 29 raste të reja me COVID-19.

Njoftimi i MSH-së:

Deri në këto momente janë testuar 2247 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 333 raste. Mosha mesatare e rasteve pozitive me COVID-19 është 50 vjeç.

Ju informojmë se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67 vjecar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19. Pacienti ishte i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv, prej 6 ditësh ishte i intubuar dhe në hemodializë që e kryente brenda spitalit Infektiv. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 67 vjeçari ka ndërruar jetë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes të të ndjerit.

Deri tani 18 persona kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri.

Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 10 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 99.