Në Zallq të Istogut gjenden mbetjet mortore të një fëmije që dyshohet të jetë vrarë gjatë luftës

0
1062

Në fshatin Zallq të Komunës së Istogut, respektivisht afër varrezave të këtij fshati, janë gjetur mbetjet mortore të një të riu.

Lajmin për KTV-në e ka konfirmuar drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Ai ka thënë se ekspertët e mjekësisë ligjore kanë identifikuar mbetjet mortore të një të riu në moshë mes 7 deri në 12 vjet.

“Identiteti do të bëhet i ditur pas analizave të ADN-së që do të bëhen ditët në vazhdim”, tha Gërxhaliu.

Ndërkaq, Arben Emini nga Departamenti për Identifikim në kuadër të Mjekësisë Ligjore, ka thënë se me urdhër të prokurorit, ekspertët kanë dalë në vendin e ngjarjes, në varrezat e fshatit Zallq, dhe arritën të nxjerrin mbetjet mortore të këtij të riu.

Ai shtoi se trupi ishte i mbështjellë me batanije dhe kishte çorape të cilat nuk u dekompozuan dhe lënë të kuptohet se mbetjet mortore mund t’i përkasin luftës së fundit por që shkaqet e rrethanat e vdekjes do të përcaktohen ndërkohë.

Përndryshe, ekspertët e mjekësisë ligjore nga 5 marsi kanë filluar të dalin në terren për gërmime të reja.

Sipas Gani Shalës, kryetar i fshatit Zallq, ekipet e mjekësisë ligjore kanë gërmuar në pjesën ku ka qenë varri i dyshuar.

Po ashtu, sipas tij, diku 13 metra larg varrit, ekipet e ML kanë gjetur kafkën dhe disa eshtra të njeriut (fëmijë), i mbështjellë në një batanije dhe një palë çorape.

Ekipet që kanë gërmuar, janë larguar nga vendi i ngjarjes.