Nënkryetari i PSD-së intervistohet nga policia rreth aksionit para zyrave të Gjykatës Speciale

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Zgjim Hyseni, është intervistuar nga Policia e Kosovës rreth aksionit të zhvilluar para zyrave të Gjykatës Speciale në Prishtinë.

Për shkak të aksionit që kishin zhvilluar para zyrave të Gjykatës Speciale në Prishtinë, nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Zgjim Hyseni, sot është intervistuar nga Policia e Kosovës.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Hyseni, ka thënë se fillimisht nuk e dinte se për çfarë është ftuar dhe vetëm kur ka mbërritur në stacionin policor e ka kuptuar se për çka po intervistohet.

Sipas Hysenit, Policia e Kosovës, por as institucionet e tjera nuk duhet t’i shërbejnë Dhomave të Specializuara, pasi që siç theksoi ai, Gjykata Speciale është e skaduar dhe duhet të zhbëhet, në të kundërtën sipas Hysenit, ajo do ta dëmtojë Kosovën më shumë se secili proces, sepse efekti i saj është zvetënimi i vetë përpjekjes për liri.

Njoftimi i plotë i Hysenit:

Sot jam thirrur për një intervistë nga Policia e Kosovës. Prita që do të jetë ndonjë nga rastet e mëhershme të aktivitetit. Por, mbeta i habitur kur polici më tha se arsyeja e thirrjes lidhet me aksionin që kemi zhvilluar para zyrave të Gjykatës Speciale në Prishtinë.

Ashtu siç aksionin e kemi bërë haptas dhe në praninë e mediave, unë nuk shmangem as nuk fshehem. Por, nuk do të shkoj ne polici thjesht sepse jam prononcuar publikisht. Kjo qasje është e parregullt, jodemokratike dhe ka për qëllim frikësimin e atyre që duan të bëjnë aktiviteteve kundër kësaj gjykate.

Policia e Kosovës, por as institucionet e tjera nuk duhet t’i shërbejnë Dhomave të Specializuara. Këto dhoma nuk ka qenë kurrë në shërbim të drejtësisë, prandaj qasja e tyre është ajo e arbitraritetit policor. Gjykata Speciale është e skaduar, prandaj duhet të zhbëhet. Përndryshe, ajo do ta dëmtojë Kosovën më shumë se secili proces, sepse efekti i saj është zvetënimi i vetë përpjekjes për liri.