Nesër festimet për Ditën e Verës, ja rrugët që do bllokohen

0
309

Bashkia e Tiranës ka organizuar një agjendë të ngjeshur aktivitetesh ditën e dielë për festimin e Ditës së Verës. Drejtoresha e Promovimit të Qytetit në Bashkinë e Tiranës, Julinda Dhame, ftoi qytetarët që t’i lënë makinat në shtëpi dhe t’i bashkohen 50 aktiviteteve festive.

“Ditën e dielë, që në orën 09:00 të mëngjesit, sheshi “Skënderbej”, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, një pjesë e ish Bllokut dhe Parku i Liqenit Artificial do të gëlojnë nga aktivitetet. E nisim me aktivitetet për fëmijë në sheshin “Skënderbej”, ku përveç koncerteve, do të jetë Teatri i Kukullave, Panairi i Gjelbër për fëmijë, “Eduko fëmijët me mjedisin”, aktivitete të shumta për fëmijë, lojëra popullore dhe kthimi në traditë. Gjithashtu, do të vijojmë me një panair libri gjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, e një panair të produkteve të Tiranës nga të gjitha njësitë administrative. Kemi edukimin e fëmijëve dhe të të rinjve me biçikleta, me patina, ‘Pedalo me fëmijët’.”

Aktivitete do të zhvillohen edhe në Parkun “Rinia”, për të vijuar më pas me një koncert hip-hop e muzikë latine në pjesën pranë godinës së kryeministrisë, ku protagonistë do të jenë vetë qytetarët, që cilët mund t’i bashkohen kërcimtarëve profesionistë.

Muzika do t’i shoqërojë kryeqytetasit edhe në zonën e ish-Bllokut, ndërkohë që për të gjithë ata që do t’i drejtohen kodrave të Liqenit Artificial, Bashkia e Tiranës ka organizuar koncerte, panaire dhe kampionate të ndryshme.

Për mbarëvajtjen e aktiviteteve, Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit kanë edhe devijimin e qarkullimit të mjeteve për ditën e dielë: “Segmenti nga sheshi “Skënderbej” deri në sheshin “Nënë Tereza”, pra i gjithë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” do të jetë i pakalueshëm për mjetet. Mjetet do të kalojnë vetëm në rrugët paralele me bulevardin, si rruga “Ibrahim Rrugova” dhe rruga “Gjon Pali II”. 

Aktivitetet do të zhvillohen në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe zonën e ish-Bllokut, në dy rrugë të saj, në rrugën “Pjetër Bogdani”, dhe në rrugën “Brigada VIII”. Në të gjithë perimetrin ku do të zhvillohen aktivitetet nuk do të lejohen që të parkohen mjetet./Oranews.tv/