Nesër votojnë edhe të burgosurit

0
69

Si në të gjithë vendin, me 17 tetor procesi i votimit do të zhvillohet edhe në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës, ku për momentin janë 1 mijë e 637 të burgosur.

Zëdhënësi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Florent Gashi ka bërë të ditur se do të përkujdesen për krijimin e hapësirave dhe mbarëvajtjen e procesit në koordinim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Siç tha ai, listat e votuesve dhe materialet do të sigurohen nga KQZ-ja.

“Në koordinim të SHKK-së dhe KQZ-së, procesi i votimit do të zhvillohet nëpër të gjitha institucionet korrektuese, SHKK do të kujdeset për krijim e hapësirave dhe mbarëvajtjen e procesit, ndërsa listat e votuesve dhe materialet zgjedhore do të sigurohen nga KQZ”, tha Gashi.

Tutje, ai bëri të ditur se aktualisht në institucionet korrektuese janë 1637 persona të burgosur.

Periudha e regjistrimit për votim të personave me nevoja dhe rrethana të veçanta

“Të drejtë vote kanë të gjithë ata persona të cilët janë shtetas të Republikës së Kosovës, e të cilët posedojnë dokumente valide. Nga ky numër i të burgosurve përjashtohen të miturit nën moshën 18 vjeçare dhe shtetasit e huaj”, tha Gashi për Telegrafin.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mundëson pjesëmarrjen në votime edhe të personave që për rrethana specifike nuk mund të shkojnë në vendvotim.

Qasja në këtë shërbim varet nga kategoria të cilës i përkasin, e cila është përshkruar më poshtë, ndërsa votimi mundësohet përmes ekipeve mobile të cilat shkojnë në shtëpi apo institucionet përkatëse për të mundësuar votimin e personave që votojnë në këtë mënyrë.

Kjo përfshinë edhe të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit.