Nga 12 shtatori, në Kosovë do të ketë vaksinim edhe të dielave

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas mbledhjes së komitetit anti-Covid, tha se valët e reja të përhapjes së pandemisë janë të pashmangshme.

Ai ka theksuar se nga 170 persona që kanë vdekur javën e fundit, 149 prej tyre nuk kanë qenë të vaksinuar.

“Kemi rreth 600 mijë qytetarë që kanë marrë së paku një dozë të vaksinës. Nga data 12 shtator do të kemi vaksinim edhe të dielave”

Vitia thotë se edhe kjo javë ka qenë e vështirë për qytetarët tanë.

“Gjatë kësaj jave kemi 170 qytetarë kanë humbur jetën dhe prej tyre 149 kanë qenë të pavaksinuar. Valët e reja janë të pashmangshme”, tha Vitia.

Ai ka përsëritur se nga 13 shtatori punëtorët e administratës publike duhet të kenë një dëshmi, kartën e vaksinimit apo testin PCR negativ, derisa nuk ka përjashtuar se mund të merren masa të reja para kësaj date.