Nga Ditari i Luftës për Ditën e Çlirimit

Ish-Kryetari i LKÇK-së, ish-ushtari i UÇK-së, tani Kryetari i LB-së, Valon Murati, me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, ka publikuar një dromcë nga Ditari i tij i Luftës, në të cilën shkruan për hyrjen e forcave të UÇK-së si fitimtare në Kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë.

Ky është shkrimi i Valon Muratit:

“Vendimi për të hyrë në mënyrë masovike në Prishtinë (njësitë e gueriljes “BIA” me detyra defansive kanë qenë tërë kohën në shumë lagje të Prishtinës), ishte një vendim i drejtë dhe unë e përmbajta që nga fillimi.

Kjo hyrje filloi që më 9 qershor, ndërsa më 11 qershor do të hyjmë edhe Agimi (Kuleta), Baci (Fatmir Humolli), Cali (Sali Mustafa, komandanti i “BIA-s”, unë dhe të tjerët. Të nesërmen erdhi edhe Remi dhe e vendosi komandën në Kolovicë, përderisa baza e “BIA-s” ku valonte flamuri që më 11 qershor, ishte vetëm 300-400 metra nga baza e njësive të SAJ-it (njësitë speciale antiterroriste të Ushtrisë Jugosllave, që ishin njësitë e saj më elite).

Hyrja në Prishtinë ishte një vendim gjithashtu i rëndësishëm politik, sepse kur hynë trupat e NATO-s ne veç ishim në Prishtinë. Kjo dëshmonte organizimin dhe forcën tonë. Për ne në aspektin shpirtëror ishte e rëndësishme pritja që na e bënë qytetarët e Prishtinës, të cilët me muaj kishin jetuar nën ankthin e vrasjeve, masakrave dhe terrorit psikik permanent. Kjo ishte një pritje e ngrohtë, ashtu siç populli i pret bijtë e vet çlirimtarë.”

Pjesë nga ditari dhe kujtimet e luftës (vetëm pjesërisht e botuar).