Nga Qeveria e Kosovës flasin për vizitën e Kurtit në Greqi: Shpenzimet i pagoi organizatori

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka reaguar përmes një statusi në Facebook pas kritikave të shumta ndaj kryeministrit Albin Kurti, për qëndrimin e tij në një hotel luksoz në Greqi, në kohën kur mbi 1000 qytetarë nga Deçani janë helmuar nga uji i pijshëm.

Kryeziu ka thënë se është në një vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik, ndërsa ka bërë të ditur se ka udhëtuar atje me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit.

Ai ka bërë të ditur se Kurti fillimisht ka marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë, ndërsa aktualisht është duke marrë pjesë në Simpoziumin “SYMI”, transmeton lajmi.net.

“Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori.”, ka shkruar ndër të tjerash Kryeziu në Facebook.

Ai ka thënë se gjatë qëndrimit në Greqi, Kurti është takuar me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, duke përfshirë këtu edhe kryeministrin e Greqisë. /Lajmi.net/

Postimi i plotë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik. Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit.
Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI.
Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori.
Postimet nga pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në vitet e kaluara mund t’i shihni këtu:

Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota.
Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj.
Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje.