Haxhiu reagon pas skandalit, ku dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në disa lëndë në gjykata

Pak çaste më parë, u publikua hulumtimi dyvjeçar i Kallxo.com, që në thelb kishte një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.

Nuk shkoi shumë dhe erdhi reagimi i ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kjo e fundit përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” kërkoi arrestimin e menjëhershëm të të përfshirëve në këtë skandal.

Më poshtë edhe publikimi i plotë:

Haxhi Dërguti ish kryeprokuror i Apelit dhe gjyqtarët por edhe secili person i përfshirë në skandalin e publikuar sot nga kallxo.com, duhet të arrestohen menjëherë.

Fenomenet që kanë qenë të njohura prej kohësh, sot po i shohim e dëgjojmë.

Haxhi Dërguti jo vetëm për këtë rast por edhe për shumë raste tjera. Pavarësisht që sot është avokat, ndikimet e paligjshme të tij jam e bindur që vazhdojnë ende për shkak të shumë njerëzve që i ka brenda sistemit të drejtësisë që hapin e mbyllin lëndë me para!

Sidomos, në rrethanat kur sistemi nuk është në shërbim të qytetarëve, qytetarët që i qesin sheshit pazaret e skandalet janë shpresa që e keqja mund të luftohet prandaj inkurajoj të gjithë që të ndjekin shembullin e qytetarëve të guximshëm dhe në anën tjetër bëj thirrje grupeve parlamentare në Kuvend nga radhët e opozitës që t’i japin mbështetje reformës në drejtësi e cila me padurim po pritet nga qytetarët.