Nga zjarret e mëdha tek breshëri sa një top golfi, çfarë po ndodh me Australinë (video)

Australia ditën e sotme është përfshirë nga një stuhi e fortë breshëri, ku kokrra në madhësinë e një topi golfi kanë shkaktuar dëme të shumta në vend.

Stuhia ka qenë më e fortë në kryeqytetin Canberra, ndërsa mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërsa në Australinë Juglindore reshjet e shiut dhe erërat e forta kanë vazhduar për ditë të tëra, teksa parashikimet flasin për përkeqësim të mundshëm të motit.

Erërat me shpejtësi më shumë se 100 km në orë shkatërruan shtëpi dhe ndërtesa. Mediat e huaja shkruajnë se disa vende në lindje të Australisë si New South Wales dhe Queensland po vuajnë nga përmbytjet prej reshjeve që i zunë vendin flakëve.

Një anë pozitive e këtyre reshjeve të shiut është edhe pastrimi i ajrit, i cili ka qenë i tejngopur me karbon nga zjarret e shumta. Por pavarësisht kësaj, në zona të tjera të vendit zjarri vazhdon shkatërrimet e tij.