Ngjarja e rëndë për familjen Ramqaj në Junik, nisin hetimet për vdekjen tragjike të 16-vjeçarit

U raportua sot për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur mbrëmë në familje në Junik, ku në një stan të bjeshkës, ka humbur jetën një fëmijë. Ky rast ka tronditur familjen Ramqaj, kur morën vesh se Diloni humbi jetën tragjikisht te Gropa e Erenikut.

Të afërm me familjen e viktimës kanë bërë të ditur për Sinjalin se ai bashkë me disa persona të tjerë po punonin në atë zonë, kur papritmas ai dyshohet se pati kontakt me rrymën, pasi e kishte ndezur gjeneratorin për shkak të mungesës së energjisë.

Vdekjen e 16-vjeçarit e ka konfirmuar mjeku në vendin e ngjarjes, ndërsa njësitet policore kanë bërë ekzaminimet e nevojshme, në mënyrë që të zbardhen rrethanat e ngjarjes. Për rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku, ndërsa prokurori ka dhënë urdhër që trupi i pajetë të dërgohet për obduksion në IML. Rasti është iniciuar si Hetim mbi vdekjen”, tha Gashi.

https://www.fokusi.info/rast-tragjik-humb-jeten-16-vjecari-ne-bjeshken-e-junikut-derisa-ishte-duke-punuar-ne-stan/lajme/