Nis numërimi mbrapsht për Kurtin: Në pritje të LDK’së pas orës 14:00

Lëvizja Vetëvendosje ka caktuar dje Albin Kurtin për kryeministër të Qeverisë së ardhshme të Kosovës me ç’rast këtij të fundit i mbeten vetëm edhe 14 ditë nga sot për të lëvizur drejt koalicionit me LDK’në, e cila sot do të mbajë mbledhjen e saj të radhës me kryesinë e partisë në orën 14:00, përkatësisht në selinë e saj qendrore në Prishtinë.

Kanë kaluar më shumë se 100 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme ku Albin Kurti me partinë e tij doli e para duke u pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me të cilën pritet të formojë koalicion qeverisës.

Të hënën më 20 janar, Presidenti Thaçi e dekretoi Kurtin, pasi VV’ja ia dërgoi atij nominimin edhe pse nuk është arritur ende një marrëveshje për bashkëqeverisje me partinë e dytë fituese në zgjedhje, me të cilën po tenton VV’ja që nga certifikimi i rezultateve.

Që nga dita e djeshme Kurti ka afat 15 ditë për të paraqitur për votim në Kuvend, kabinetin qeverisës, gjë që i detyron këto dy parti të procedojnë më shpejt drejt krijimit të një koalicioni.

Përpjekjet e fundit kanë nisur nga dita e sotme e do të zgjasin gjatë dy javëve në vazhdim, ku zyrtarët e të dy partive kanë treguar vullnetin e tyre për të arritur një marrëveshje.

Lidhja Demokratike sot do të mbajë mbledhjen e radhës me kryesinë e kësaj partie, që do të fillojë nga ora 14:00, ku pritet të diskutohet edhe për zhvillimet e mëtutjeshme që do të ndodhin sa i përket negociatave me Vetëvendosjen për formimin e Qeverisë.

Në nenin 95.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës thuhet se kandidati për Kryeministër, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti Thaçi brenda 10 ditëve emëron kandidatin tjetër sipas të së njëjtës procedurë që në këtë rast i bie të jetë Isa Mustafa nga partia e dytë që ka numër më të madh të ulseve në Kuvend. Mirëpo, nëse një proces i tillë dështon, vendi hynë në zgjedhje të reja, të cilat mbahen pas 40 ditëve nga dita e shpalljes së tyre.

Kjo nënkupton se Kurti ka kohë deri më 5 shkurt të merret vesh me Isa Mustafën e LDK’së ose të shkojë në seancë pa pasur 61 votat që i duhen për të formuar qeverinë. /gazetametro.net