Nis takimi i Hotit me partitë politike, bojkotohet nga opozita

Ka nisur takimi i liderëve të partive politike, i ftuar nga kryeministri Avdullah Hoti. Në këtë takim nuk po marrin pjesë përfaqësusit e PDK’së dhe ata të Vetëvendosjes.

Hoti, gjatë këtij takimi do t’i informojë liderët partiakë në Kosovë për Samitin e Parisit dhe takimit me presidentin serb Aleksandër Vucic në Bruksel.

Kujtojmë, që Hoti edhe para nisjes për në Washington kishte ftuar liderët partiakë, gjë që edhe atëherë Veseli dhe Kurti e kishin kundërshtuar ftesën e tij.

“Ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë do të jem plotësisht transparent në këtë proces. Por, dialog teknik nuk ka. Ka vetëm dialog politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, tha Hoti të hënën kur njoftoi për ftesat drejtuar liderëve.

Kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë edhe në Kuvendin e Kosovës rreth kësaj teme të premten në ora 12:00, gjë për të cilën ka njoftuar edhe kryeparlamnetaren Vjosa Osmanin.