Vucic presidentit izraelit: Na keni zhgënjyer me njohjen e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka thënë presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, se Serbia është zhgënjyer nga njohja që Izraeli i ka bërë pavarësisë së Kosovës.

Sipas një njoftimi nga presidenca serbe, pas një bisede telefonike mes dy presidentëve, “pavarësisht zhgënjimit” Vuçiq ka thënë se Serbia dëshiron të përmirësojë raportet me lidershipin e ri të Izraelit.

Njoftimi vazhdon tutje duke thënë se Serbia pret që Herzog dhe Izraeli të përkrahin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë “si rruga e vetme për zgjidhje”.

Njohja e Izraelit për Kosovën erdhi pas zotimeve të nënshkruara më 4 shtator të vitit të shkuar në Shtëpinë e Bardhë nën praninë e ish-presidentit amerikan Donald Trump. Pos njohjes që mori, Kosova hapi ambasadën në Jerusalem si një nga shtetet e para në botë që bëri kështu.

Edhe Serbia qe zotuar se do ta lëvizë ambasadën nga Tel Avivi në Jerusalem, por një gjë e tillë ende s’ka ndodhur.