Nis zyrtarisht Samiti për Ukrainën, Rama dhe Zelensky presin liderët e Evropës Juglindore

Ka nisur zyrtarisht me një pritje ceremoniale Samiti mes Ukrainës dhe Evropës Juglindore, i cili zhvillohet në Tiranë, ku kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka pritur edhe liderët rajonalë përpara fillimit të punimeve.

I pari në Samit ka mbërritur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka pasur edhe një takim të gjatë kokë më kokë me kryeministrin Rama më herët.

Teksa, të dy, kanë pritur me radhë liderët e vendeve pjesëmarrëse në Samit.

Në bazë të agjendës, punimet e Samitit do të shohin një fjalë hapëse të kryeministrit Rama dhe të presidentit Zelensky, për t’u zhvendosur më pas në një pjesë diskutimesh me dyer të mbyllura e mandej edhe në një deklaratë shtypi të përbashkët mes të dyve, për të shtjelluar përfundimet e këtij Samiti.

Kosova është përfaqësuar në këtë takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila ka shfaqur mbështetje të plotë për Ukrainën ndaj agresionit rus në këtë Samit. Teksa, e ka pranuar se kërkesa e Kosovës ndaj Ukrainës për njohje do të vijojë të jetë e njëjtë, por se këto janë çështje bilaterale mes vendeve dhe nuk janë pjesë e diskutimeve të sotme.