Nisin hetimet për përdorimin e narkotikëve brenda Komunës së Leposaviqit

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet për përdorimin e narkotikut brenda Komunës së Leposaviqit.

Përmes njoftimit zyrtar, kjo Prokurori ka njoftuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për rastin që përfshinë edhe zyrtarë të lartë të komunës.

Njoftimi zyrtar:

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin se përkitazi me publikimin e video incizimit të portalit Nacionale, publikuar me datë 29 janar 2024, me qëllim të ndriçimit të gjitha fakteve dhe rrethanave, ka autorizuar Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Prishtinë, që të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me hetimin e këtij rasti, që ka të bëjë me persona të përfshirë që shihen në videot e publikuara, përfshirë identifikimin e të gjithë personave, pastaj mbledhjen e provave – video incizimeve të portalit Nacionale, dhe provave tjera relevante që janë të nevojshme për hetimin dhe ndriçimin e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 lidhur me nenin 275 paragrafi 1 pika 1.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.