Nisin të mbledhen protestuesit në Rudar

Me vetura e autobusë janë duke u mbledhur serbët e veriut në Rudar ku pritet të mbahet protestë.

Protesta e cila është paralajmëruar pritet të nis nga ora 12.

Në veri ndërkaq ka forca të Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.

Ndërsa gjatë rrugës Prishtinë-Zveçan janë dy patrulla policore që po i ndalin kryesisht veturat me targa serbe. Në mesin e serbëve që kanë filluar të mblidhen shihen vetura me targa të qyteteve të tjera të Kosovës, më së shumti janë ato me numrat 01 dhe 06. Po ashtu ka serbë që janë me transport të organizuar nga Beogradi.

Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë në të cilën flet për protestën e sotme të paralajmëruar në veri të Mitrovicës.

“Duke ditur rrethanat dhe situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim të situatës, Policia e Kosovës fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së kësaj proteste, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”.