Një aksident me motor i vuri flakën tubit të cisternës (video)

TIRANE-Një motor humbi kontrollin dhe përplasi depozitën e gazit duke çarë tubin që shkaktoi më pas rrjedhje dhe shpërthimin e flakëve në një pikë karburanti. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e sotme rreth orës 18:46 në rrugën “Llazi Miho” në hyrje të Kombinatit.

Report Tv siguroi pamjet nga vendi i ngjarjes, të flakëve që pushtuan për pak minuta karburantin ‘Braka’ duke shkaktuar panik në zonën e Kombinatit, ku fatmirësisht nuk ka asnjë person të lënduar, pasi punonjësit dolën me shpejtësi.

Sipas policisë ngjarja ishte aksidentale ndodhur nga një defekt teknik në sistemin e gazit te bombola që shërbente për furnizimin e automjeteve, por Report Tv zbuloi si qëndronte e vërteta.

Burime për Report Tv pohuan se shkak për shpërthimin e zjarrit u bë përplasja e një motori shumë pranë depozitës së gazit. Drejtuesi i një motori pasi humbi kontrollin, rrëshqiti duke u përplasur me depozitën e gazit duke çarë tubin.

Motoristi sipas banorëve u largua nga vendi i ngjarjes menjëherë pas zjarrit, ndërkohë që policia ka nisur hetimet për të zbuluar identitetin e tij.

Menjëherë pas njoftimit, forca të shumta policie dhe të zjarrfikëses bënë të mundur fikjen e plotë të zjarrit duke shmangur rrezikun e përfshirjes së mëtejshëm të tij te banesat e tjera që ndodhen pranë.

Efektivët vendosën perimetrin e sigurisë dhe larguan të gjithë qytetarët duke bllokuar aksin rrugor për disa minuta. Për arsye siguri në zonën e Kombinatit ku ndodhi ngjarja u ndërpre edhe energjia elektrike.