Basha i përgjigjet ashpër Berishës, pas akuzës se po mbledh nënshkrime me premtime postesh në Qeverinë Rama

Lulzim Basha i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministri Sali Berisha, se “kryedemokrati po përpiqet të mbledhë firma duke u ofruar poste drejtorash dhe zv.ministrash në kabinetin e Edi Ramës”.

Përmes një reagimi të shkurtër, Basha shprehet se asnjë trillim dhe mashtrim nuk ia zgjidh hallin Sali Berishës.

Sipas Bashës, beteja e ish-kryeministrit është për interesa personale.

“Sali Berisha e di që demokratët po konfirmojnë pjesëmarrjen në Kuvend dhe përhap lajme të rreme, duke dashur t’i poshtërojë ata. Demokratët do të vijnë në Kuvend më 18 Dhjetor sepse duan bashkimin jo përçarjen, duan fitoren, jo izolimin e PD.

Asnjë trillim dhe mashtrim nuk i’a zgjidh hallin Sali Berishës, sepse beteja e tij është për interesa personale, jo për demokratët”, shkruan Lulzim Basha.

Çfarë tha Sali Berisha?

Nga Tropoja, Berisha akuzoi Lulzim Bashën se po përpiqet që të mbledhë firmat e delegatëve të Kuvendit Kombëtar me premtime postesh drejtorash dhe zv.ministrash në kabinetin e Edi Ramës.

“Dy ditët e fundit, pengkryetari me një grusht vasalësh derdëmenësh po përpiqet të mbledhë firma duke u ofruar poste drejtorash dhe zv.ministrash në kabinetin e Edi Ramës. Le t’i themi që futuni në qeveri bashkë me ta, si tradhtarë, por do t’u përmbysim së bashku me ta në një kohë sa më të shkurtër”, tha Berisha nga “Foltorja” e Tropojës./Gazeta SHQIP.