Një burrë në Istog gjen eshtra, dyshon se janë të vëllait të zhdukur më 1999

Në fshatin Polanë të Istogut dje një burrë ka gjetur eshtra, për të cilat dyshon se janë të vëllait të tij të zhdukur më 1999, bën të ditur Policia e Kosovës.

“Dëshmitari, burrë kosovar, ka raportuar se derisa kishte qenë duke gërryer në tokë në një fushë të hapur kishte hasë në disa eshtra për të cilët ai mendon se ata eshtra janë të vëllait të tij, i zhdukur prej datës 27.03.1999”, thotë PK.

Tutje Policia shton se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë dhe është njoftuar prokurori i prokurorisë speciale.

“Vendi i ngjarjes është duke u ruajtur nga njësiti policor për shkak se në atë vende do të gërmohet për qëllime hetimore”, thuhet në njoftim.

Kurse drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, në një prononcim për KOHË-n ka thënë se rasti ende është në fazë fillestare, dhe se gjatë javës së ardhshme do të kenë mundësi të kontrollojnë ato eshtra.

Ai ka thënë se, “gjatë javës do t’i kontrollojmë se a janë eshtra të njeriut, të ndonjë kafshe, apo cilës periudhë kohore i takojnë”.