Një i vdekur e një i lënduar rëndë në një aksident trafiku në rrugën Runik – Klladernicë

Një person ka vdekur e një tjetër ka pësuar lëndime të rënda në një aksident që ka ndodhur në rrugën Runik – Klladernicë.

Këtë e ka konfirmuar kreu i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, përmes një postimi në Facebook.

“Nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Skenderaj, u informova që sonte ka ndodhur një aksident i rëndë rrugor në rrugën Runik – Klladernicë, përkatësisht në kufirin Kostërc – Klladernicë, me ç’rast një person me iniciale Xh.H ka humbur jetën ndërsa një tjetër është lënduar rëndë. Ekipet mjekësore nga QKMF Skenderaj, me marrjen e informatës kanë reaguar menjëherë duke shkuar në vend të ngjarjes dhe dhënë ndihmën e parë për personat e lënduar”, ka thënë Jashari.

Jashari ka shtuar se i lënduari që ka mbijetuar, pas marrjes së ndihmës së parë është dërguar menjëherë në Spitalin Rajonal të Mitrovicës. Gjendja e tij shëndetësore fatkeqësisht është e rëndë.

“Në emër të komunës së Skenderajt dhe në emrin tim personal shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Hasani nga fshati Klladernicë. Njëkohësisht bëj apel tek të gjithë qytetarët që të shtojnë kujdesin gjatë vozitjes në komunikacion”, ka shkruar Jashari.